Çdo vit, në 14 Shkurt, të dashuruarit nga e gjithë bota shkëmbejnë çokollata, lule dhe dhurata për të festuar ditën më romantike të vitit: ditën e Shën Valentinit.
Kremtohet në pjesën më të madhe të botës, madje fshehtasi festohet edhe në vendet ekstremiste ku konsiderohet i paligjshëm, ndërsa është një realitet i konsoliduar sidomos në Evropë dhe në Amerikë.
Në ditën e Shën Valentinit regjistrohen disa rekorde në blerjen dhe shkëmbimin e dhuratave. Çdo vit, në Verona (Itali), nën ballkonin e Xhuljetës dërgohen 1.000 letra dashurie; zakonisht bëhen 220 mijë propozime, blihen rreth 110 milionë trëndafila të kuq dhe shiten 1 miliard çokollata.
Po kush ishte Shën Valentini dhe çfarë ka bërë ai që të dashuruarit anë e mbanë botës e kremtojnë kaq shumë?
Ndërsa kjo festë tani njihet si një ditë e mbushur me romantizëm, janë pak ata që njohin jetën e Shën Valentini dhe domethënien e këtij përvjetori i cili ka një histori interesante që daton deri në Romën e lashtë.
Në këtë artikull kemi përmbledhur faktet më interesante dhe kuptimplotë që do t’ju ofrojnë një vështrim më të thellë mbi festën e lashtë.
Pavarësisht nëse po e kaloni këtë 14 Shkurt me zemrën tuaj ose po e përdorni atë si një justifikim për të ngrënë sa më shumë çokollata 😁, lexoni më poshtë për të mësuar fakte që mund t’ju befasojnë.
01. Shën Valentini nuk ishte një person i vetëm
Ju tashmë e dini se dita e Shën Valentinit u emërua pas shenjtorit mbrojtës të saj, por në të vërtetë përmenden shumë shenjtor me emrin Shën Valentin dhe nuk mund të thuhet me saktësi se kujt i përket kjo traditë.
Midis tyre përfshihet një Shën Valentin që ishte një prift në Romën e shekullit të tretë. Ishte koha kur krishterët ishin duke pësuar persekutime të mëdha. Me sa duket, Shën Valentini shërbente si prift dhe sfidoi ndalimin e Perandorit Klaudio II për martesë (i cili mendonte se martesa shpërqendronte ushtarët e rinj), duke i martuar ata fshehurazi. Ai priste pjesë nga bibla në formë zemre dhe ua shpërndante ushtarëve, të cilët i merrnin me vete për të kujtuar fjalët e zotit mbi martesën.
Për këtë arsye, Shën Valentini arrestohet dhe dënohet me vdekje si shkelës i ligjit. Gjatë kohës së tij në burg, shenjtori kishte shëruar nga verbëria vajzën e rojes së burgut. Para ekzekutimit të tij, ai i shkroi një letër vajzës së rojes, ku e frymëzonte që të qëndronte në besimin dhe moralin e krishterë. Letra mbyllej e nënshkruar me fjalinë “Nga Valentini yt”.

02. Dita e Shën Valentinit i ka rrënjët në një festival antik Pagan
Megjithëse disa historianë besojnë se dita e Shën Valentinit përkujton vdekjen e Shën Valentinit në 14 Shkurt, të tjerë besojnë se festa në fakt e ka zanafillën në një festival pjellorie pagane të quajtur “Lupercalia”, i cili festohej në 15 Shkurt në Romën e lashtë.

03. Në vitin 1300, ajo u bë zyrtarisht një festë e lidhur me dashurinë
Festa e Shën Valentinit si e njohim sot, e ka prejardhjen në kohën e romantizmit mesjetar të shekullit XIV, në Britani. Në këtë periudhë filluan të shkruheshin poezitë e para me përmbajtje romantike.

04. ‘Shën Valentini’ i parë u dërgua në shekullin e 15-të
Regjistrimi më i vjetër i dërgimit e një kartolinë të Shën Valentinit ishte një poezi që Charles, një dukë mesjetar francez, shkroi për gruan e tij në 1415. Kjo ndodhte gjatë kohës që Charles ishte burgosur në Kullën e Londrës.

05. Tradita e dhënies së luleve të Shën Valentinit daton që nga shekulli i 17-të
Dhënia e trëndafilave të kuq mund të jetë një gjest i dukshëm romantik sot, por vetëm në fund të shekullit të 17-të dhënia e luleve u bë një zakon popullor. Në fakt, praktika mund të gjurmohet që kur mbreti Charles II i Suedisë mësoi “gjuhën e luleve” në një udhëtim në Persi dhe më pas prezantoi traditën në Evropë. Akti i dhurimit të luleve më pas u bë një trend popullor gjatë epokës viktoriane me trëndafila të kuq që simbolizojnë dashurinë e thellë.

06. Kutia e parë me çokollata në formë zemre u prezantua në 1861
Kutia e parë në formë zemre u krijua nga Richard Cadbury i cili filloi të paketonte çokollata në kuti të zbukuruara për të rritur shitjet. Ai prezantoi kutinë e parë për Shën Valentin në vitin 1861, dhe sot, më shumë se 36 milion kuti me çokollata në formë zemre shiten çdo vit.

Po ju, si po e kaloni festën e të dashuruarve? 💗 Na tregoni më poshtë!
ARTIKUJ TË NGJASHËM 9 ide për të festuar Shën Valentinin |
Cover photo credits: PEXELS
© Të gjitha të drejtat e rezervuara